Në Banjë të Siarinës u mbajt manifestimi "Ditët e Diasporës" (foto)
Lokale

Në Banjë të Siarinës u mbajt manifestimi "Ditët e Diasporës" (foto)

11.Aug.2014 12:30
0
Në Medvegjë, qindra shqiptarë të bashkuar nga trojet të ndryshme shënuan "Ditët e Diasporës" i cili këtë vit u mbajt në Banjë të Siarinës.

“Jemi tubuar këtu, në këtë vend të bekuar dhe të shenjtë, në vendlindjen tonë të dashur, në takimin i cili mëtojmë të jetë tradicional, që së paku për disa orë së bashku t’i nderojmë dhe respektojmë mërgimtarët tanë, ata të cilët me mundin dhe djersën e tyre bënë që jeta jonë të jetë më e mirë dhe më e lehtë, ata të cilët pas punës njëvjeçare me padurim presin të kthehen në destinacionin e tyre të parë, aty ku kanë lindur gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre”, u tha në fillim të manifestimit tashmë tradicional “Ditët e Diasporës”, i cili sivjet u mbajt në Banjën e Siarinës, në kompleksin e hotelit “Gejzer”.

Organizimin e këtij manifestimi, në të cilin morën pjesë qindra veta, e mundësuan dhe e sponsorizuan Shoqata Humanitare Bamirëse “Medvegja” dhe Komuna e Medvegjës, ndërkaq e udhëhoqi Këshilli Organizativ, në krye të të cilit ishte zëvendëskryetari i Komunës, z. Florim Sahiti.

Ndërkaq mërgimtarët tanë e kanë një dëshirë të madhe dhe të vetme - që vendlindja e tyre dhe jona të jetë e mbushur me njerëz si sot, që ajo të frymojë dhe të jetojë shqip, që këtu të jehojë prore kënga dhe vallja shqipe, ashtu siç do të ndodhë sot.

Përveç banorëve vendës, në takim morën pjesë edhe mysafirë të shumtë nga Diaspora, nga Kosova, nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia, etj., raporton medvegja.net.

Në cilësinë e mysafirëve, tubimin e përshëndetën Safet Neziri, ish-deputet, tani këshilltar i ministrit të Arsimit në Republikën e Maqedonisë, Fazli Musliu, kryetar i shoqatës “Lugina e Preshevës” në Zvicër, ndërkaq në rolin e nikoqirit, fjalë rasti, duke e shpallur tubimin të hapur, mbajti përfaqësuesi i Komunës së Medvegjës, zotëri Fehmi Beha.

Më pas, një fjalë të tillë rasti e paraqiti edhe kryetari i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Medvegja” në Fully të Zvicrës, zotëri Zenel Neziri.

Kryefjalë e të gjitha fjalimeve përshëndetëse ishte krijimi i kushteve për kthimin e banorëve të zhvendosur dhe që Medvegja të mos mbetet pa banorët e vet autoktonë.

Në pjesën artistike të programit u paraqit artisti me përmasa jo vetëm kombëtare, me vargje të zgjedhura nga “Lahuta e Malësisë”, Çun Lajçi.

Ai i ngazëlleu të pranishmit me aktrimin e përkryer dhe shumë domethënës.

Më pas u paraqit shoqëria kulturo-artistike “Shqiponjat e Medvegjës” me disa valle të përgatitura enkas për këtë ditë, gjatë të cilave pjesëmarrësit u ngjitën në valle.

Edhe grupi folklorik “Shpëtimi” u paraqit me disa pika folklorike, të cilat zgjuan kureshtjen e të pranishmëve, kurse në pjesën e fundit të programit u paraqitën këngëtarët Besim Sahiti, Ramiz Llapi dhe këngëtarja Gresa Ahmeti, të cilët kënduan deri në orët e vona.

Në këtë mënyrë përfundoi një mbrëmje e këndshme në Banjën e Siarinës, në të cilën gjithçka frymoi shqip dhe krijoi një ndjenjë freskie në këto ditë të ngrohta verore./medvegja.net/ Titulli.com/

I bie shpullë policit në hyrje të Tërnocit
Mbahet "Takimi i Vendlindjes-Priboci 2014" (foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration